Kreu
Themelimi
Kryesia
Statuti
Planet
Lajme
Aktivitete
Shkolla
Foto albumi
Kontakt
Lidhje
Kosova
English
Events
 

 

R  A  P  O  R  T
MBI AKTIVITETIN E SHOQATËS SË KOSOVËS PËR APLIKIMIN E ULTRATINGULLIT NË MJEKËSI

PËR PERIUDHËN 2002-2006

Shoqata e Kosovës për Aplikimin e Ultratingullit në Mjekësi, (SHKAUM) u formua më 22.12.2001. Pas Kuvendit themelues dhe aprovimit të Statutit, Shoqata parashtroi kërkesën pranë organeve kompetente për legalizimin e veprimtarisë së saj, dhe me 19.04.2002, kjo Shoqatë regjistrohet me nr. 5101385-9.

TË PËRGJITHSHME:
Në Kosovë, diagnostika ultrasonografike si metodë diagnostikuese ka një vonesë në përgaditjen e kuadrit, dhe ende nuk e ka arritur nivelin e dëshiruar, në mënyrë që të shkohet krahas vendeve të tjera me traditë në këtë drejtim, pasi se vetëm një numër i vogël i mjekëve Kosovar që merren me diagnostikën ultrasonografike, me sakrifica individuale janë përgatitur jashtë Kosovës, ndërsa në mungesë të një organizimi të mirëfilltë institucional, një numër i shumë i madh i tyre punojnë pa edukim të mjaftuar përkatës për çka dhe çdo ditë e më shumë shtohën “efektet anësore” të diagnostikës ultrasonografike.  
Duke u nisur nga kjo e dhënë, Shoqata e Kosovës për Aplikimin e Ultratingullit në Mjekësi që nga themelimi është munduar që këtë boshllëk të edukimit përkates në këtë lëmi, ta plotësojë me aktivitetin e vet, nëpërmes simpoziumeve, ligjëratave, seminareve, shkollës-kurseve dhe Workshop-eve, pa pretenduar që këto aktivitete të zëvendësojnë edukimin përkatës, SHKOLLËN E DIAGNOSTIKËS ULTRASONOGRAFIKE NË MJEKËSI, dhe pastaj edhe licensimin e mjekëve profesionistëve që merren me këtë metodë diagnostikuese, nëse nuk duam që edhe në të ardhmën të ballafaqohemi me “efektet anësore” të diagnostikës ultrasonografike gjegjësisht gabimet e shumta që bëhen nga ana e mjekëve jokompetent, dhe pa edukim përkatës, në këtë lëmi të diagnostikës ultrasonografike.   
Nëse kjo vonesë, në 2-3 vitet e para pas luftës, edhe ka mund të justifikohet si pasojë e politikës shtypëse të udhëhequr me vite ndaj mjekëve kosovar gjatë regjimit okupues dhe diktatorial të Milosheviqit, tani në këto 3-4 vitet e fundit, nuk mund të arsyetohemi as si individë e as si institucione, dhe të gjithë bashkë mbajmë përgjegjësi për të gjitha gabimet dhe lëshimet eventuale që mund të bëhen në këtë drejtim.       
 

 

AKTIVITETET MË TË RËNDËSISHME TË SHOQATËS

Shoqata e Kosovës për Aplikimin e Ultratingullit në mjekësi, në kuadër të aktivitetit të saj ka organizuar:

  • Në Prizren, Simpoziumin Ndërkombëtar ULTRASONOGRAFIA DIAGNOSTIKE NË MJEKËSI, në vitet: 2002, 2003, 2005 dhe 2006, me mesatarisht rreth 500 pjesëmarrës në secilin prej tyre.
  • Më datë 05. 07. 2002, në Prizren, Shtëpia e Shëndetit, Ligjëratën: Anomalitë e lindura të zemrës te fëmijët dhe diagnostikimi me kohë i tyre, nga Prof.dr.sc. Enrico Chiappa, Division of Pediatric Cardiology, Azienda Ospedaliera Materno-Infantile O.I.R.M.-S. Anna, Turin, Italy
  • Më datë 22 Shkurt 2003, në Prishtinë, Kosovë "Grand" Hotel, Simpoziumi Ndërkombëtar: Ultrasonografia diagnostike në Kardiologji, me rreth 150 pjesëmarrës.  
  • Më 10. 06. 2003, në Prizren, Fillon Shkolla e diagnostikës ultrasonografike në mjekësi në tri drejtime, e cila ndiqet nga 61 pjesëmarrës, ku ligjëruan emra të njohur të kësaj lëmie në botë. Kjo Shkollë më 7 Korrik 2004 përfundoi, dhe pas dhënies së provimit përfundimtar 60 vijuesit e shkollës u pajisen me Diplomë-certifikatë për kryerjen e shkollës.
  • Më 04.09.2003, në Prishtinë, Shoqata e Kosovës për Aplikimin e Ultratingullit në Mjekësi në bashkëpunim me Qendrën për edukim në Diagnostikën ultrasonografike në mjekësi dhe Kliniken e Urologjisë të Qendrës Klinike Universitare, organizon: Seminari Ndërkombëtar "Ultrasonografia diagnostike në urologji", i cili ndiqet nga rreth 160 pjesëmarrës. 
  • Më 08.08.2004, në Prizren, Shoqata e Kosovës për Aplikimin e Ultratingullit në Mjekësi, në bashkëpunim me Drejtoratin për Shëndetësi të Kuvendit të Komunës së Prizrenit dhe Shoqatën e Farmacistëve të Kosovës, organizoi një ligjëratë mbajtur nga profesori i mirënjohur nga Fakulteti i Mjekësisë Universiteti i Tiranës, Shqipëri Gjergji Minga, me titull: “Bashkëpunimi në mes të mjekut-farmacistit dhe pacientit”.
  • Më 09.06.2005, Kryetari i Shoqatës së Kosovës për Aplikimin e Ultratingullit në Mjekësi Dr.sc. Selami Sylejmani, duke shfrytëzuar miqësinë e krijuar gjatë aktiviteteve të veta shkencore, me Spitalin "Ziekenhuis Gelderse Vallei" nga qyteti Ede i Holandës, arriti të sigurojë donacion-dhuratë nga ky spital dy aparate të sofistikuara Ultrasonografike "ALOKA SSD 2000", COLOR DOPPLER, të cilët iu dhuruan:
    1. Spitalit Rajonal "Prim.dr. Daut Mustafa" në Prizren, dhe
    2. QKMF-së së Prizrenit.

  • Më 09.06.2005, Shoqata e Kosovës për Aplikimin e Ultratingullit në Mjekësi organizoi: Workshop me titull: "APLIKIMI I DIGANOSTIKËS ULTRASONOGRAFIKE NË ABDOMEN DHE SËMUNDJET E GJIRIT", ku morën pjesë mbi 100 pjesëmarrës.
  • Më 8 qershor 2006, u mbajtën 3 Workshop-e kushtuar diagnostikës ultrasonografike në mjekësi me titull: Bazat e Color Doppler-it me rreth 300 pjesëmarrës, dhe atë në:
    1. Gjinekologji/obstetrikë, Prof.dr.sc. Syed Amir Gilani,nga Instituti Afro-Aziatik i Shkencave Mjekësore nga Lahore, Pakistan, dhe Dr.sc.Selami Sylejmani, Prizren, Kosovë. 
    2. Organet abdominale, Assistent Prof. Shpëtim Telegrafi, dhe, NYU - School of Medicine, New York, ShBA,
    3. Kardiologji, Prim.dr. Danijel Planinc, Fakulteti i Mjekësisë i Universitetin të Zagrebit, Kroaci.
  • Më 8 qershor 2006, me rastin e ceremonisë së hapjes solemne të Simpoziumit të katërt shkencor Ndërkombëtar “ULTRASONOGRAFIA DIAGNOSTIKE NË MJEKËSI PRIZRENI 2006”, u bë dorëzimi edhe i një aparati "ALOKA SSD 2000, Color Doppler", si rezultat i bashkëpunimit të Shoqatës sonë gjegjësisht kryetarit të saj Dr.sc. Selami Sylejmanit dhe Spitalit "Ziekenhuis Gelderse Vallei" të qytetit Ede të Holandës. Ky aparat ultrasonografik iu fal Spitalit Regjional të Prizrenit, në shenjë falënderimi për bashkëpunim shumë të mirë, në mes të Shoqatës sonë dhe Spitalit Rajonal të Prizrenit.
  • Nga data 5 deri 9 Nëntor 2006, Shoqata e Kosovës për Aplikimin e Ultratingullit në Mjekësi në bashkëpunim me Institutin Afro-Aziatik të Shkencave Mjekësore nga Lahore, Pakistan, Shoqatën e Obstetër dhe gjinekologëve të Kosovës, përkrahur edhe nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Prishtinës, Qendra Ndërkombëtare për edukim në diagnostikën ultrasonografike në mjekësi dhe Spitalin Rajonal të Prizrenit, mbajti Shkollën-Kursin intensiv nga lëmi i diagnostikës ultrasonografike në gjinekologji me obstetrikë për 20 vijues gjinekologë, 18 nga Kosova dhe dy nga Shqipëria. Më 9 nëntor 2006, pas provimit përfundimtar këta vijues të shkollës u pajisën me Diplomë mbi përfundimin me sukses të shkollës-kursit në këtë lëmi të diagnostikës ultrasonografike.   
  • Që nga viti 2002, SHKAUM-i ka hapur Web faqen e saj:
     www.kosovaultrasound.com, për të krijuar mundësinë e informimit dhe komunikimit më të lehtë me të gjithë të interesuarit në vend dhe botë, duke realizuar numër jashtëzakonisht të madh të vizitave. Faqen e vizitojnë mesatarisht 20.000 vizitorë brenda vitit. Kjo faqe planifikohet në të ardhmen e afërt që të shërbejë për edukimin e mjekëve në aplikimin i diagnostikës ultrasonografike, duke ofruar leksione në formë elektronike: e-learning.
  • SHKAUM-i ka botuar edhe librat që ndërlidhen me katër simpoziumet shkencore, në të cilat janë përmbledhur abstraktet e punimeve shkencore dhe libër-skript për bazat e diagnostikës ultrasonografike në gjinekologji me obstetrikë.

KËTIJ RAPORTI, ME RASTIN E DORËZIMIT NË MINISTRIN E SHËNDETËSISË SË KOSOVËS I JANË BASHKËNGJITUR EDHE:

  • Raportet e veçanta të të gjitha aktiviteteve të përmendura më sipër,
  • Listat e pjesëmarrësve të aktiviteteve të organizuara, të cilat edhe mund të kenë mangësi të vogla eventuale, për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve dhe vështirësive të caktuara gjatë regjistrimit
  • Mostrat e certifikatave të lëshuara për pjesëmarrësit
  • Certifikatat e dhurimit të pajisjeve ultrasonografike institucioneve shëndetësore se bashku me vlerësimin me shkrim të vlerës së këtyre aparateve nga ana e Kompanisë “KONTI” përfaqësuese e Kompanisë ALOKA për Kosovë
  • Librat e rezymeve ku janë të përfshirë edhe programet
  • Skripti i kursit intensiv mbi bazat e diagnostikës ultrasonografike në gjinekologji dhe obstetrikë

Ky Raport është dorëzuar në Lokalet e Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës konkretisht në dhomën e ZHVP-së


Prizren, 12.12.2006

                                                            Dr.sc. Selami Sylejmani
                                                                kryetar i Shoqatës së Kosovës
për Aplikimin e Ultratingullit në Mjekësi

 


Shkarko raportin si Acrobat Reader dokument duke klikuar këtu.